"Bëhu pjesë e së Ardhmes", fushatë sensibilizuese për Këshillin Kombëtar Shqiptar
Portali Informativ-Titulli ka filluar realizimin e projektit “Bëhu pjesë e së Ardhmes” që ka për qëllim të sensibilzojë opinionin shqiptar për dalë në votimet e 26 tetorit 2014 për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Ky projekt financohet nga ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd dhe parasheh realizimin e debateve, shkrimeve, intervistave me faktorë të ndryshëm politik dhe shoqërisë civile shqiptare në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
Gjithashtu përmes këtij projekti do të shpërndahet material propagandues për qytetarët, ku do të shpjegohet roli dhe rëndësia e funksionimit të Këshilli Kombëtar Shqiptar.
Projekti ““Bëhu pjesë e së Ardhmes” do të informojë qytetarët për realizimin e të drejtave shqiptare në fushën e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit të gjuhës e shkrimit të saj dhe përdorimit të simboleve kombëtare.
Portali Informativ-Titulli vlerëson se pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar më 26 tetor do të ndikojë pozitivisht në përpjekjet e politikës për integrime dhe realizimit të të drejtave përmes institucioneve relevante.
Projekti “Bëhu pjesë e së Ardhmes” do të luaj një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve për kompetencat që ka Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe se pjesëmarrja për zgjedhjen e anëtarëve të kuvendit të këtij institucioni përfaqësues shqiptar ka një rëndësi të madhe drejt realizimit të të drejtave shqiptare në këtë rajon./Titulli.com/